Agim Fejzullahi: Hashim Thaçi ishte strateg i lirisë dhe arkitekt i shtetit të Kosovës

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Agim Fejzullahi, me numër 72 në listën zgjedhore, ka reaguar përmes një postimi të gjatë, ku ka shpalosur arsyet e angazhimit të tij politik në PDK, duke vënë në qendër figurën e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe rolin e tij historik në shtetndërtimin e Kosovës.
Fejzullahi thekson se angazhimi i tij në PDK nuk është i rastësishëm, por i ndërtuar mbi bindje të thella politike dhe ideologjike, duke e cilësuar këtë parti si forcën kryesore të shtetndërtimit të Kosovës.

“Angazhimi im politik në Partinë Demokratike të Kosovës nuk është i rastësishëm dhe as i vonshëm. Ai buron nga bindja e thellë se Kosova ndërtohet vetëm me përkushtim afatgjatë, me sakrificë dhe me njerëz që nuk i shmangen përgjegjësisë kur vendi ka më së shumti nevojë për ta.”
Ai vlerëson PDK-në si vazhdimësi të idealit për liri, shtetësi dhe zhvillim, duke nënvizuar se kjo parti ka dalë nga lufta dhe sakrifica, me vizion të qartë për një Kosovë të lirë dhe sovrane.
Në postimin e tij, Fejzullahi ndalet veçanërisht te figura e ish-presidentit Hashim Thaçi, të cilin e përshkruan si lider vizionar dhe figurë kyçe të historisë së re të Kosovës:
“Hashim Thaçi nuk ishte vetëm udhëheqës politik, por strateg i lirisë, njeri i dialogut ndërkombëtar dhe zë i fuqishëm i interesave të Kosovës në arenën botërore. Kontributi i tij për çlirimin, pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit është i pakontestueshëm dhe do të mbetet i gdhendur në historinë tonë kombëtare.”
Sipas tij, të angazhohesh herët në PDK do të thotë të marrësh përgjegjësi dhe të mos ikësh nga sfidat, parim që, siç thotë ai, ka udhëhequr gjithë rrugëtimin e tij politik.
Postimi i Agim Fejzullahit është parë si një mesazh i qartë për vazhdimin e trashëgimisë politike të PDK-së dhe një zotim për përkushtim ndaj vlerave mbi të cilat është ndërtuar kjo parti.