OVL UÇK në Sferkë vendos flamujt kombëtarë dhe ju uron mirëseardhje bashkatdhetarëve

Iniciativa e kryetarit të OVL-UÇK-së, nëndega e bashkësisë lokale Sferkë, z. Ramiz D. Gashi, për vendosjen e mbajtëseve të flamujve dhe vetë flamujve, është finalizuar me sukses në prag të festës së Flamurit.

Përpos flamujve, në tri hyrjet kryesore të fshatit janë vendosur edhe mbishkrimet “Mirësevini bashkëatdhetarë”, të shoqëruara me logon e UÇK-së. Sipas kryetarit Gashi, ky aksion është realizuar falë përkrahjes së qytetarëve të Sferkës dhe kontributit të tyre financiar, lista e të cilëve është publikuar ditë më parë.

“Ky aksion nuk do të ishte realizuar pa përkrahjen tuaj. Ju faleminderit për mbështetjen dhe ju urojmë gëzuar 28 Nëntorin”, është shprehur Ramiz D. Gashi.

Vendosja e simbolikave kombëtare vjen si shenjë nderimi për festën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe si vlerësim për sakrificën e veteranëve të UÇK-së, duke i dhënë fshatit një atmosferë festive dhe patriotike.