Presidenti amerikan Donald Trump, së bashku me Zonjën e Parë Melania Trump, janë larguar nga Mbretëria e Bashkuar me bordin e Air Force One, duke shënuar përfundimin e vizitës së tij të dytë shtetërore në këtë vend.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, Trump komentoi disa nga temat më të ndjeshme ndërkombëtare dhe kombëtare. Ai sugjeroi se kryeministri britanik Keir Starmer mund të përdorë ushtrinë për të menaxhuar krizën e anijeve të vogla me emigrantë, një çështje e nxehtë në politikën britanike.
Në lidhje me luftën në Ukrainë, Trump u shpreh se presidenti rus Vladimir Putin “e ka zhgënjyer”, ndërsa Starmer theksoi se SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar po bashkëpunojnë për të ushtruar presion ndaj Kremlinit që të pranojë një marrëveshje paqeje, shkruan BBC.
I pyetur për qëndrimin e Starmer mbi njohjen e një shteti palestinez, Trump pranoi se ka “mosmarrëveshje” me kryeministrin britanik për këtë çështje, duke sinjalizuar një dallim të dukshëm mes dy aleatëve.