Nga gurbeti në shërbim të vendlindjes, Lavdim Zenelaj kandidat i VV-së në Klinë

Lavdim Zenelaj ka shpallur kandidaturën e tij për Asamblenë Komunale të Klinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ku garon me numrin 10 në listë.

Ai ka theksuar se kandidimi i tij vjen si rezultat i ndjenjës së përgjegjësisë qytetare dhe politike, dhe se pas shumë vitesh të kaluara në mërgim, ka vendosur të rikthehet në vendlindje për të kontribuar në zhvillimin e komunës.

Njoftimi i tij:

Lavdim Zenelaj kandidon për Asamblenë Komunale të Klinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje

Të Dashur Qyterar të Klines

Me krenari dhe ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë qytetare e politike, ju njoftoj se për herë të parë jam kandidat për Asamblenë Komunale të Klinës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, me numrin 10 në listë.

Falënderoj me mirënjohje të thellë Kryetaren e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Klinë, për besimin dhe mbështetjen e dhënë, si dhe kandidatin tonë për kryetar të Komunës së Klinës, z. Ramiz Rrustaj, i cili me vizionin dhe vendosmërinë e tij do të udhëheqë rrugën drejt një Klinë më të drejtë, më transparente dhe më të zhvilluar.

Unë, Lavdim Zenelaj, kam kaluar shumë vite në gurbet. Jeta jashtë atdheut më mësoi vlerën e punës, sakrificës dhe respektit për institucionet. Megjithatë, zemra ime gjithmonë ka qenë në vendlindjen time. Sot kam marrë vendimin e madh që të rikthehem e të jetoj në Klinë, duke ia kushtuar energjinë, përvojën dhe përkushtimin tim shërbimit ndaj qytetarëve dhe të ardhmes së komunës sonë.

Synimi im është të jap kontribut real në ndërtimin e një Klinë ku rinia të ketë më shumë mundësi, ku fshatrat të kenë përkrahjen e merituar, ku institucionet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe ku çdo zë të dëgjohet.

Bashkë me ju dhe me Lëvizjen Vetëvendosje, jam i bindur se Klinës i pret një e ardhme më e mirë. Ftoj secilin prej jush të më përkrahni me numrin 10, dhe të mbështesim kandidatin tonë për kryetar, z. Ramiz Rrustaj, për ta bërë ndryshimin e shumëpritur në komunën tonë.

🤝 Me respekt dhe përkushtim,
Lavdim Zenelaj
Kandidat për Asamblenë Komunale – Klina
Numri 10
Lëvizja Vetëvendosje