Gjithçka që dihet deri më tani për krimin në Gjilan…Si u privuan nga jeta pesë anëtarë të familjes Bllaca?

Shtëpia e familjes Bllaca që ndodhet në lagjen ‘’Bujanina’’ në Gjilan, sot është shndërruar në zonë krimi. Oborri i shtëpisë është rrethuar me shirita të policisë e në vendngjarje po qëndrojnë të afërm të viktimave, të cilët kanë deklaruar për media se nuk kanë njohuri nëse viktimat në të kaluarën kanë pasur mosmarrëveshje mes vete.

Motiviet e krimit të shumëfishtë nuk dihen ende, por ajo që dihet është se zyrtarja e Policisë së Kosovës, Valdete Bllaca, do të mbahet mend si gruaja që privoi nga jeta më së shumti njerëz nga dora një e njeriu, viteve të fundit në Kosovë.

Të dhënat e para të Prokurorisë Themelore në Gjilan, bëjnë me dije se Valdete Bllaca, qëlloi për vdekje prindërit dhe vëllëzërit me armën zyrtare, të cilën sipas burimeve të Gazetës Sinjali, dyshohet se e kishte vjedhur, pasi i ishte konfiskuar.

Por, kush janë anëtarët e familjes Bllaca që u privuan nga jeta?

Pas pak nga shtëpia ku ata jetonin, pritet të nxirren trupat e pajetë të prindërve, Zeqir Bllaca 70-vjeçar, Hanife Bllaca 66-vjeçare, vëllezërit Blerim Bllaca 33-vjeçar si dhe Fisnik Bllaca 34-vjeçar dhe vetë dorases Valdete Bllaca 45 vjeçare.

Në vendin e ngjarjes po qëndron edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Ndërsa Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka shprehur ngushëllime për ngjarjen e rëndë, duke shtuar se ka mbledhur organet emergjente të sigurisë dhe drejtësisë.

Vrasja e shumëfishë ka shokuar gjithë Kosovën.