Sot shënohen 30 vite nga rënia heroike e Besim Ndrecës në Malësi të Re – një prej figurave më të ndritura të rezistencës shqiptare gjatë viteve të 90-ta.
I lindur në tetor të vitit 1956 në fshatin Maqitevë të komunës së Suharekës, Besim Ndreca u përfshi në Lëvizjen Guerile “Shqipet e Lirisë” më 30 dhjetor 1991, si pjesë e Njësitit Gueril. Ai u bë simbol i qëndresës kundër torturave dhe represionit serb ndaj shqiptarëve.
Përndjekja ndaj tij nisi kur policia serbe u përpoq ta arrestonte në stacionin e autobusëve në Suharekë, por Ndreca arriti t’i çarmatosë dhe i dorëzoi tek eprori i tyre. “Lidhi këlyshët”, kishte thënë ai, duke i turpëruar forcat serbe dhe duke ndezur alarmin për ta kapur me çdo kusht.
Ndreca nuk u dorëzua kurrë. Ai luftoi deri në fund, derisa u vra nga plumbat serbë. Para se të binte, ai vizitoi familjen për herë të fundit dhe u shpreh: “Obligimin e tij kombëtar, tashmë e kishte kryer dhe hakun atdheut ia kishte paguar.”
Heroizmi i Besim Ndrecës u bë frymëzim për shumë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët më vonë vijuan luftën për liri. Vepra e tij është përjetësuar në këngë, shkrime dhe në emërtimin e një sheshi në qytetin e Suharekës, ku sot qëndron edhe shtatorja e tij.