Sot në Istog u vendos guri themeltar për ndërtimin e banimit të përballueshëm dhe social.
Në ceremoni morën pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, si dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Ceremonia filloi në ora nëntë, teksa pjesëmarrës ishte kabineti i komunës në krye me kryetarin Ilir Ferati, shumë punëtorë dhe qytetarë të Istogut.
Përpara tyre, Kurti tha se ky është një projekt tejet i rëndësishëm, shkruan IndeksOnline.
“Qysh në fillim të mandatit tonë e patëm miratuar agjendën qeveritare për banim të përballueshëm dhe social, bazuar në tri parime themelore. Banimi është e drejtë themelore e njeriut. Për jetesë, nevojitet banesë! Me këtë rast, në janar të vitit 2024, Ministria ka hapur thirrjen për komunat, për ndërtimin e njësive banesore për banim të përballueshëm dhe social” u shpreh Kurti.
Ai thotë se do të ketë 4 tipe të banesave, teksa kriteret që duhet plotësuar nga të interesuarit është të mos e kenë problem banimin kolektiv.
“Këtu në Istog, vlera e punimeve është përafërsisht 4 milionë e 90 mijë, punimet do të kryhen për 3 vjet”, tha Kurti.