5000 emblema të UÇK-së vendosen mbi NEWBORN në Ditën e Pavarësisë

Monumenti simbol i pavarësisë së Republikës së Kosovës, NEWBORN, është shndërruar në qendër të një aksioni simbolik në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Pas rrethimit me konstrukte metalike dhe mbishkrimit “Kosova e burgosur!”, aktivistët e platformës “Liria ka emër” kanë vendosur mbi monument rreth 5000 emblema magnetike të UÇK-së.

Sipas përfaqësuesve të kësaj platforme, veprimi është reagim ndaj proceseve që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të cilat ata i konsiderojnë të padrejta dhe cenim të luftës çlirimtare.

Në paraburgim në Hagë ndodhen ish-presidenti Hashim Thaçi, si dhe ish-zyrtarët e lartë Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, të cilët përkrahësit e tyre i cilësojnë figura kyçe të rezistencës dhe shtetndërtimit të Kosovës.