Xhevxhet Berisha, shpallë kandidaturën e tij për kryetar të Qendrës së VV-së, në Klinë

Ish- asamblisti i VV-së në Klinë, Xhevxhet Berisha, përmes një e-maili dërguar Klina.info ka njoftuar se do të jetë në garë për kryetar të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje, në Klinë.
Ky është njoftimi:

Të nderuar dhe shumë të respektuar anëtarë dhe simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Klinë.
Me anë të këtij mesazhi elektronik dua të ju informoj juve, të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të Lëvizjes Vetëvendosje se do të jem në garë për kryetar të Qendrës.
Për mua personalisht do të ishte privilegj dhe përgjegjësi që ta fitoj garën për kryetar të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje, në Klinë, duke premtuar angazhimin tim maksimal që fryma e fitores nga niveli qendror të bartet edhe në nivelin lokal.
Përmes ndryshimeve, mendoj unë, bëhet më e shëndetshme demokracia dhe transparenca, dhe, besoj fuqishëm se sjell energji të re, konsolidim të mirëfilltë brenda Qendrës, duke ofruar bashkëpunim dhe respektuar mendimet ndryshe në mënyrë që bashkëqeverisja të jetë gjithëpërfshirëse.
Besoj qe kam përgatitje dhe përvojë të mjaftueshme profesionale dhe menaxheriale (pasi që kam qenë edhe më parë në pozita udhëheqëse) për të qenë i pari në Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje, në Klinë.
Pra, me mirëkuptimin tuaj dhe me ndihmën e aktivistëve, unë kam vendosur të jem kandidat për kryetar të qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Klinë.
Me respekt, Xhevxhet Berisha