Kompania gjermane zhvillon ilaçin kundër COVID-19, parandalon infektimin e qelizave

Kompania biofarmaceutike nga Gjermania, Formycon, ka njoftuar se ka zhvilluar një ilaç kundër COVID-19 që plotësisht mund të ndalojë infektimin e qelizave, shkruan Al Jazeera.

Pritet që ky ilaç të marr lejen për përdorim urgjent për afro një vit. Kompania Formycon me seli në Minhen, disa ditë më parë ka bërë të ditur se ka zhvilluar ilaçin kundër coronavirusit që quhet FIB207, që plotësisht parandalon infektimin e qelizave, transmeton Telegrafi.

Proteina e shkrirë e Formycon për antitrupa aktivizohet në receptorin ACE2, që ndodhet në sipërfaqen e qelizës dhe që është pika kryesore e hyrjes në qelizat njerëzore për SARS-CoV-2 dhe coronavirusët tjerë.

Drejtori i kompanisë Carsten Brockmeyer, ka theksuar se ilaçi paraqet një shans për pacientët shumë të sëmurë, për të cilët deri më tani nuk ka ekzistuar ndonjë terapi që ishte mjaftueshëm efikase.

Në anën tjetër analisti Damien Choplai nga kompania Kepler Cheuvreux, pretendon që përveç mbrojtjes nga coronavirusi që ofron FIB207, ajo reagon edhe ndaj mutacionit që aktualisht një gjë të tillë nuk e bëjnë as vaksinat.

Përparësia e këtij ilaçi të zhvilluar nga Formycon është se bllokon hyrjen që virusi e shfrytëzon për të infektuar qelizat. Në këtë mënyrë mbron edhe nga mutacioni, që sigurisht se në të ardhmen mbron edhe nga epidemitë tjera të coronaviruseve.

Ilaçet e antitrupave si Remdesivir kanë treguar se kryesisht janë jo efikase, derisa koktejet e antitrupave u sugjerohen pacientëve vetëm në fazën e hershme të sëmundjes.

Formycon ka zhvilluar bisedimet me agjencinë evropiane për barna dhe atë amerikane për ushqim dhe barna, nga të cilët shpreson që marrë miratimin për përdorim emergjent deri në fillim të vitit 2022