Zjarri në IML, Haxhiu thotë se ka informacione që është shkaktuar nga një defekt elektrik

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ka informacione se zjarri në Institutin e Mjekësisë Ligjore është shkaktuar si pasojë e një defekti elektrik.

Në një prononcim para gazetarëve, ajo ka shtuar se nuk ka pasur djegie të mostrave, arkivit apo mbetjeve mortore në IML.

“Nga vlerësimet e djeshme, ne kemi kuptuar që janë dy zyra në IML të ekspertëve mjeko-ligjor, nuk ka pasur djegie as të mostrave, as të arkivit të IML-së dhe as të mbetjeve mortore”, ka thënë Haxhiu.

“Megjithatë, unë nuk mund të flas atë se çfarë mendoj. Neve na duhet që të presim ekspertët të na tregojnë se cilat janë shkaqet. Sipas informacioneve të para nga ta që kemi siguruar dje në orët e vona të mbrëmjes, ka pasur një defekt në sistemin elektrik”, është shprehur ajo.

Tutje, ajo ka thënë se ka diskutime përbrenda stafit të IML-së se kur është ndërtuar objekti në vitin 2006, është bërë shkel e shko.

“Ne tashmë planifikojmë që bashkë me personat përgjegjës ta bëjmë një vlerësim të rrezikshmërisë dhe uroj të jetë aksidentale dhe jo nga dora e njeriut”, ka shtuar ajo.

Tutje, ajo ka theksuar nevojën për hetime serioze në mënyrë që të hulumtohet nëse zjarri është vënë nga dora e njeriut.