Zgjidhet problemi për kosovarët në Suedi që në dokumente u shkruante se janë edhe nga Serbia

Ambasada e Kosovës në Suedi ka arritur që ta zgjidh problemin e paraqitur për kosovarët që jetojnë atje e të cilëve në dokumentet personale krahas Kosovës u shkruante se janë edhe nga Serbia,

Për këtë çështje kishte shqetësim nga shumë kosovarë.

“Ambasada ka filluar trajtimin e saj në mënyrë konsistente. Pas një sërë diskutimesh tejet konstruktive me Ministrinë e Jashtme të Suedisë, çështja në fjalë është trajtuar nga Skatteverket dhe është zgjidhur me sukses”, thuhet në kumtesë.

“Tash e tutje, në dokumentet tuaja do të figurojë vetëm shteti i Kosovës meqë:

Agjencia Suedeze e Taksave ka ndryshuar politikën e saj dhe nuk do të regjistrojë më shtetasit kosovarë si shtetas serbë në Regjistrin Suedez të Popullsisë,

Kur një individ lëviz në Suedi nga Kosova, Agjencia e Taksave do të regjistrojë shtetësinë bazuar në pasaportën e individit ose dokumenteve nga Agjencia e Migracionit, për shembull uppehållstillståndkort,

Individët që janë të regjistruar si shtetas kosovarë dhe serbë mund të kërkojnë heqjen e regjistrimit të shtetësisë serbe. Agjencia e Taksave do të vërtetojë kërkesën bazuar në dokumentet e paraqitura nga individi, informacionin në dispozicion kur individi ka ardhur në Suedi dhe rrethana të tjera të ndërlidhura me rastin përkatës”, njoftohet tutje