Mjekët në QKUK i shpëtojnë jetën një fëmije, i largojnë një pjesë të lodres plastike nga rrugët e frymëmarrjes

Përdorimi i lodrave plastike nga fëmijët, në disa raste mund të shndërrohet në rrezik dhe jetë kërcënues.

Një rast i tillë i rrezikimit të jetës tek një fëmijë i moshës njëvjeçar është paraqitur në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, ku fëmiu gjatë lojës me një lodër kishte aspiruar një pjesë të lodrës dhe kishte vështirësi të madhe në frymëmarrje.

Fëmiu i moshës 1 vjeçare menjëherë nga Klinika Emergjente, është transferuar në Klinikën e Otorinolaringologjisë për shkak të aspirimit të trupit te huaj (lodër plastike e rrumbullakët), gjë që e bën shumë të vështirë heqjen e trupit të huaj.

“Në këto kushte fëmiu dërgohet me urgjencë në sallë të operacionit, ku thirret ekipi kujdestar i mjekëve të ORL-së, ata thërrasin me urgjencë mjekët e anestezionit, ku pas ndërhyrjes me bronkoskop, fëmijës i largohet pjesa e lodrës, i lirohen rrugët e frymëmarrjes dhe i shpëtohet jeta”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

Mjekët apelojnë tek prindërit që të tregojnë kujdes të shtuar për fëmijët, duke mos u lënë gjëra të imëta që mund t’i gëlltisin dhe të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre.