Rihapet ambulanca në fshatin Leskoc

Në fshatin Leskoc, që nga sot do të jetë në shërbim të banorëve të këtij lokaliteti ambulanca mjekësore, e cila do të veprojë në të njëjtin objekt ku kishte funksionuar edhe më herët dhe do të jepen shërbime infermierie çdo ditë.

Me këtë rast, Kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, bashkë me drejtorin e Shëndetësisë, z. Hekuran Sejdiu, dhe drejtorin e QKMF-së, Anton Shllaku, kanë vizituar këtë Ambulancë të Mjekësisë Familjare.

Elezaj theksoi se rifunksionalizimi i kësaj ambulance është bërë me qëllim të ofrimit të shërbimeve më të mira mjekësore për banorët e këtij lokaliteti.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare ka angazhuar tri ekipe me mjekë dhe infermierë për trajtimin e personave të konfirmuar me virus dhe personave të dyshuar, të cilët do të bëjnë vizita mjekësore nëpër shtëpi.