Ngritet aktakuzë ndaj zyrtarëve shtetërorë për marrje ryshfeti

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave me inicialet L.O., dhe L.M., hetues në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.

Sipas njoftimit, të dyshuarit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda–Njësia kundër Korrupsionit, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve me inicialet L.O., dhe L.M., hetues në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale ‘Marrja e ryshfetit’, nga neni 421 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim, shkruan Gazeta Sinjali.

Të pandehurit janë arrestuar më 5 shkurt 2020, pasi janë zënë në flagrancë gjatë kryerjes së veprave penale. Gjatë arrestimit te të pandehurit janë sekuestruar para rreth 15 mijë euro, armë dhe pajisje të ndryshme elektronike.

“Pas një hetimi të gjatë, të njëjtit janë arrestuar pasi që kanë shfrytëzuar pozitat e tyre si hetues në DHKEK dhe kanë pranuar ryshfet nga biznese të ndryshme. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cilat u vihen në barrë”.