Zenun Elezaj shpërblen nxënësit kampionë të Klinës: Talente që e nderojnë Kosovën në botë

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka pritur sot në takim nxënësit më të suksesshëm të komunës, të cilët kanë shënuar rezultate të jashtëzakonshme në gara kombëtare dhe ndërkombëtare, shkruan Klina info.

Në këtë takim, së bashku me nënkryetarin Fadil Gashi dhe drejtorët komunalë Qemajl Sejdija dhe Driton Bardheci, Elezaj ka ndarë mirënjohje për katër nxënësit e dalluar dhe ka marrë vendim për ndarjen e një shpërblimi financiar në vlerë prej 500 eurosh për secilin prej tyre.

Statusi i tij i plot:

Sot pata kënaqësinë e veçantë që, së bashku me nënkryetarin Fadil Gashi dhe drejtorët Qemajl Sejdija e Driton Bardheci, të presim në takim nxënës të komunës sonë, të cilët kanë shënuar suksese të jashtëzakonshme në gara kombëtare dhe ndërkombëtare.

Me këtë rast, ndamë mirënjohje dhe mora vendim për ndarjen e një shpërblimi financiar në vlerë prej 500 eurosh për secilin nga katër nxënësit, Teuta Marku, Tana Camaj, Dinela Gashi dhe Erdi Selimi, të cilët kanë arritur rezultate të larta në gara brenda dhe jashtë vendit.

Teuta Marku, nxënëse e SHFMU “Motrat Qiriazi”, është ndër xhudistet e reja më të talentuara dhe më të suksesshme, e dëshmuar përmes rezultateve të shkëlqyera në gara kombëtare dhe ndërkombëtare.

Tana Camaj, nxënëse e SHML “Luigj Gurakuqi”, është fituese e medaljes së artë në kimi dhe medaljes së bronztë në matematikë, të dyja këto arritje në nivel ndërkombëtar.

Dinela Gashi, nxënëse e SHFMU “Ismet Rraci”, ka zënë vendin e parë në nivel të Kosovës në garat e matematikës në konkurrencën e vajzave.

Erdi Selimi, nxënës i SHFMU “Ismet Rraci”, ka zënë vendin e parë në gjuhën angleze në nivel vendi.

Këta nxënës e kanë përfaqësuar me dinjitet Komunën e Klinës dhe Republikën e Kosovës në gara kombëtare e ndërkombëtare, duke kontribuar në ngritjen e imazhit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare.

Sukseset e tyre janë dëshmi e përkushtimit, punës së palodhshme dhe talentit që posedon rinia jonë, si dhe një motivim i fuqishëm për të gjithë nxënësit që të synojnë majat e dijes dhe të suksesit.