Kosova përfiton mbi 100 milionë euro grant nga BE-ja për trajtimin e ujërave të zeza dhe mbeturinave

Kosova ka përfituar mbi 100 milionë euro nga Bashkimi Evropian për zbatimin e projekteve për Trajtimin e Ujërave të Zeza dhe Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta.

Sipas qeverisë, të dy projektet do të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit sipas standardeve mjedisore të BE-së, ku si qëllim do të jetë zgjidhja e problemit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta dhe ujërave të zeza.

“Projekti i trajtimit të ujërave të zeza në rajonin e Prishtinës do të përfshijë ndërtimin e linjave të ujërave të zeza, si dhe rehabilitimin e rrjeteve të ujërave të zeza dhe sistemit të ndarjes së ujërave të stuhive”.

“Projekti në fjalë do të plotësojë ndërtimin e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Zeza që është financuar nga Qeveria Franceze, me ç’rast paraqesin investimin më të madh që është bërë në sektorin e ujërave të zeza në Kosovë. Për realizimin e këtij projekti, Qeveria Gjermane përmes KfË-së do të sigurojë në total 42 milionë euro, ndërsa BE-ja do të sigurojë rreth 20 milionë euro. Komuna e Prishtinës dhe ajo e Fushë Kosovës do të kontribuojnë me 9 dhe 2 milionë euro respektivisht”, thuhet në njoftimin e qeverisë, përcjell Klankosova.tv.

Sipas qeverisë, projekti për menaxhimin e mbeturinave të ngurta do të zbatohet në komunën e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Podujevës dhe atë të Pejës.

“Do të përfshijë ndërtimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e deponive dhe stacioneve të transferimit të mbeturinave të ngurta. Për këtë projekt, Qeveria Gjermane do të sigurojë 20 milionë euro, ndërsa BE-ja 23 milionë euro përmes fondeve IPA. Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me 8 milionë euro dhe komuna e Pejës me 3 milionë, duke e bërë kontributin e përgjithshëm kombëtar 11 milionë euro”, thuhet në njoftim.