Zenun Elezaj në përcjellje te reagimeve të qytetarëve, do të takohem me Kryeministrin Kurti dhe Ministrat e linjës

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj përmes një postimi në faqen zyrtare në FB është deklaruar pas protestês së sotme të qytetarëve, të cilët po kundërshtojnë ndërtimin e Fabrikës së Çimentos.

Ky është njoftimi i plotë:

Të nderuar bashkëqytetarë të komunës sonë,

në vazhdimësi kam përcjellë me vëmendje reagimet tuaja në lidhje me ndërtimin e fabrikës së çimentos në komunën e Klinës.

Kam përcjellë po ashtu edhe se si jeni dezinformuar, me apo pa qëllim, dhe keni reaguar për këtë çështje.

Prandaj dëshiroj që prapë të sqaroj procedurën e lëshimit të lejeve të nevojshme që i kanë parapri lëshimit të lejes ndërtimore, ku komuna është vendosur para një akti të kryer nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës dhe nuk ka pasur mundësi ligjore të refuzojë pajisjen me leje ndërtimore për kompaninë në fjalë.

Fillimisht dua të theksoj se, duke u bazuar në Planin Zhvillimor Komunal, ne, si organ përgjegjës me ligj, kemi lëshuar një dokument që vërteton se institucionet lokale nuk kanë ndonjë interes për investime në pronën në fjalë.

Dua të sqaroj para jush se lejes ndërtimore i kanë paraprirë një varg dokumentesh të lëshuara nga pushteti qendror.
Fillimisht, dëgjimi publik si procedurë e parë është organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për çka komuna nuk ka qenë përgjegjëse për organizimin e dëgjimit publik.

Ministria e Bujqësisë e ka bërë ndërrimin e destinimit nga tokë bujqësore në tokë minerare, pastaj Ministria e Ambientit ka bërë lëshimin e pëlqimeve kundër ndotjeve të ajrit, e KPMM ka bërë lëshimin e licencave për hulumtim dhe shfrytëzim.

Pastaj, kuvendi i komunës në mënyrë unanime ka marrë një vendim për anulimin e të gjitha pëlqimeve. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që me ligj bënë mbikëqyrjen e vendimeve të institucioneve lokale, dy herë i ka vlerësuar antiligjore vendimet e kuvendit të komunës për anulimin e pëlqimeve, që si rrjedhojë vendimet e kuvendit janë pa ndonjë efekt juridik.
MAPL edhe ka bërë padi në gjykatën kompetente kundër vendimit të kuvendit komunal.

Të gjitha këto vendime të institucioneve qendrore ne si pushtet lokal na kanë sjellur para një akti të kryer, sepse kompania në fjalë në momentin e aplikimit për leje ndërtimore i ka plotësuar të gjitha kërkesat të kërkuara sipas ligjit në fuqi.
Rrjedhimisht ne nuk kemi pasur mundësi ligjore ta refuzojmë lejen ndërtimore për kompaninë.

Lidhur me këtë çështje kam qenë vazhdimisht i hapur që të takoj qytetarë, ku kanë shprehur shqetësimin e tyre e po ashtu kemi qenë shumë transparentë edhe me mediat.

Në ditët në vijim do të kërkoj një takim edhe me kryeministrin e Kosovës si dhe ministrat e linjës, për të diskutuar situatën e krijuar.