Zenun Elezaj emëron drejtorin e ri të Financave në Klinë

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka emëruar Faruk Smajlin në pozitën e drejtorit të Financave, Ekonomisë dhe Zhvillimit.

Sipas njoftimit të kryetarit, Smajli vjen nga fshati Pjetërq i Epërm dhe ka përgatitje profesionale në fushën e ekonomisë, duke përfunduar studimet themelore në Fakultetin Ekonomik dhe aktualisht është në përfundim të studimeve pasuniversitare në të njëjtin drejtim.

Ai ka mbi 10 vite përvojë pune si kontabilist dhe menaxher në kompani të ndryshme, ku ka dëshmuar rezultate të qëndrueshme profesionale. Gjithashtu, ka përvojë edhe në sektorin publik, ku për rreth dy vite ka qenë pjesë e Komitetit të Auditimit në Komunën e Klinës.

Në mandatin e kaluar, Smajli ka udhëhequr Drejtorinë e Inspektoratit, duke treguar përkushtim, përgjegjësi dhe profesionalizëm në kryerjen e detyrave.

Kryetari Elezaj ka shprehur besimin se Smajli do të ketë sukses edhe në detyrën e re, duke theksuar se do të ketë mbështetjen e plotë për realizimin e objektivave në këtë sektor.