Zbulohet shuma e madhe, ja sa para merrnin ryshfet në ditë policët doganorë

Një operacion i përbashkët Kosovë-Shqipëri ka sjellë arrestimin e 17 policëve doganorë shqiptarë të dyshuar për korrupsion në pikën kufitare të Morinës dhe 26 të tjerëve nga Kosova.

Po ashtu, për vepra të tjera penale, përfshirë shpërdorimin e detyrës dhe kontrabandën, për 14 punonjës të Policisë së Shqipërisë, është vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Ndërsa tre zyrtarë janë pezulluar nga detyra, mes tyre edhe drejtori i Drejtorisë të Kufirit dhe Migracionit Kukës.

Deri në 8.000 euro ryshfet në ditë

Sipas informacioneve paraprake nga hetimet, ka rezultuar se policët shqiptarë i merrnin qytetarëve minimalisht deri në 10 euro, të cilat i ndanin më pas me njëri-tjetrin në fund të turnit. Ndërsa fitimet ndërmjet tyre arrinin deri në 8000 euro në ditë.

Siç shihet edhe në foton e siguruar nga Gazetasi.al, duket mënyra sesi grumbulloheshin dhe ndaheshin paratë mes punonjësve.

Njëra nga policet, shihet duke numëruar ryshfetin që ka përftuar nga qytetarët, duke shpërdoruar detyrën, ndërsa monitorimi i tyre është kryer nga kamera përgjimi, të vendosura nga prokuroria.

Hetimi nisi në nëntor 2020, 34 masa sigurimi personal

Sipas njoftimit të SPAK, pas një hetimi me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, janë caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar 34 masa sigurimi personal, nga të cilat 32 punonjës të Policisë Kufitare Kukës, me funksione të ndryshme brenda Drejtorisë të Kufirit dhe Migracionit Kukës.

Nga hetimi i nisur që në nëntor të 2020, SPAK thotë se është dokumentuar veprimtaria e kundraligjshme e punonjësve të Policisë së Shtetit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Kukës gjatë kohës së kryerjes së shërbimit në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, Kukës.

Nga hetimi janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundërligjshme; ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre ne vendet e BE-së.