Zbulohet identiteti i dillerit që u kap me 30 kg drogë në Malishevë, po kërkohej nga Interpoli për grabitje

Një person është arrestuar dje rreth orës 15:00 në fshatin Llozicë të Malishevës, pasi u kap me mbi 30 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë gjatë një aksioni të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet brenda Prokurorisë se i dyshuari është Armend Kastrati, 32-vjeçar, nga fshati Damanek i Malishevës.

Kastrati ishte në kërkim policor pasi që ndaj tij ishte lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar nga Interpoli për veprën penale ‘Grabitje’.

Pas arrestimit të tij, Policia në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit ku kanë gjetur dhe sekuestruar 28 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

“Policia ka siguruar urdhër për kontroll nga organet e drejtësisë, me që rast është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit në një fshat të Malishevës. Gjatë kontrollit, policia në shtëpinë e të dyshuarit: A.K., (viti i lindjes 1991, mashkull kosovar), ka gjetur dhe konfiskuar tri çanta në të cilat kishte 28 paketime me substancë që dyshohet të jetë marihuanë. Pesha e përgjithshme e kësaj lënde është 30 kg e 330 gramë”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia ka njoftuar mbrëmë se ka intervistuar të dyshuarin dhe ndaj tij ka iniciuar rastin ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge‘.

Pas përfundimit të procedurave, me aktvendim nga prokurori, i dyshuari është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.