Vuçiq nuk merr pjesë në Samit, Kurti: Ndoshta ndokujt i ka munguar, mua jo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar sot në Berlin, ku bashkë me liderët e tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë marrë pjesë në Samitin për rajonin në kuadër të Procesit të Berlinit.

Në një konferencë për media kreu i Qeverisë së Kosovës është pyetur për mungesën e Aleksander Vuçiqit në këtë organizim ku edhe janë nënshkruar tri marrëveshje.

Kurti ka thënë se nuk e di arsyen pse Vuçiq nuk ka marrë pjesë në Samit, derisa ka shtuar se nuk është që i ka munguar dikujt.

“Nuk e di pse nuk ka ardhur për besë edhe nuk është që na mungoi fort, ndoshta ndokujt, por sigurisht jo mua”, ka thënë Kurti në konferencë për gazetarët.

Kreu i Qeverisë së Kosovës tutje ka thënë se mbase Vuçiq s’ka udhëtuar drejt Berlinit meqë aty pothuajse të gjithë kanë dënuar agresionin rus dhe kjo mund të ketë shkaktuar frikë tek Vuçiqi.

Kurit tutje ka thënë se sigurisht që Vuçiq do të ishte i vetmuar në një organizim të tillë.

“Bëhet fjalë për një samit në të cilin qartazi nga pothuajse secili folës dënohej agresioni rus në Ukrainë dhe sidomos çështja me energjinë, ku dihet se gazin e ka shndërruar në armë lufte presidenti despotik Putin. Dhe ka mundësi që për një situatë të tillë është frikësuar që të jetë i pranishëm ku qartazi do të ishte i vetmuar dhe sic ka vepruar si jo rrallë herë ka sakrifikuar dikë tjetër në vend se t’i dalë në ballë detyrës dhe qëndrimit të shtetit ku është president”, ka thënë Kurti tutje.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në vazhdimësi është kritikuar dhe akuzuar për afërsinë e tij me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, me të cilin edhe kanë ideuar nismën “Ballkani i Hapur”.