Vjen reagimi i Haradinajt pas certifikimit të rezultateve

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se “përkundër propagandave të qarqeve të ndryshme me të cilat vazhdimisht u sulmua Aleanca, qytetarët vazhduan t’iu besojnë”.

 “Ju, që përkundër propagandave të qarqeve të ndryshme me të cilat vazhdimisht u sulmua Aleanca, e që nuk u argumentuan asnjëherë, vazhduat të na besoni, ashtu siç e kthyem besimin tuaj me punë, duke i dhënë vendit Ushtrinë, tapitë e Trepçës, pavarësinë energjetike e shumë të tjera, vazhdoni të besoni në ne”, shkroi Haradinaj.

Aleanca, thotë Haradinaj, që gjatë tërë historisë së saj politike, ka dëshmuar konsistencë në temat e interesit nacional, “do të vazhdojë njëjtë dhe besimi juaj do të rezultojë edhe me më shumë punë të mira për shtetin tonë dhe të ardhmen e ndritur të tij dhe për mirëqenien e të gjithë qytetarëve”.