Vidhet vetura e zëvendësministres së Mbrojtjes

Mbrëmë i është vjedhur makina zëvendësministres së Mbrojtjes nga komunitetet joshumicë, Sadika Kofrc,

Vjedhjen e veturës e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali vetë Kofrc, e cila njoftoi se vjedhja është bërë në oborrin e shtëpisë së saj në fshatin Vitomiricë të Pejës.

Kofrc tutje tregoi se cak i hajnave ishin tri veturat që i kishte në oborr.

“Në oborr kam pasur tre vetura, vetura personale më është vjedhur, ndërsa dy tjera zyrtare jo. Dy veturat tjera mendoj se nuk kanë arritur të vidhen për shkak se janë model më i ri dhe ka qenë më e vështirë për t’u vjedhur”, tha ajo.

Tutje, Kofrc tha se vetura e vjedhur kishte vlerë rreth 6-7 mijë euro, ndërsa shtoi se nuk ka askënd të dyshuar për këtë rast.

“Nuk kam askënd të dyshimtë për këtë rast dhe nuk mund të them se kush e ka bërë këtë. Rastin e kam raportuar në polici dhe presim për procedurat e mëtutjeshme”, përfundoi ajo.

Vjedhjen e veturës e kanë konfirmuar për Gazetën Sinjali edhe nga Policia në Pejë.

“Po, mund të konfirmojmë se mbrëmë është vjedhur një veturë në Vitomiricë të Pejës. Pronarja e veturës është malazeze”, thuhet në përgjigjen e tyre. /