Veteranët i gjuajnë me ujë deputetët e PDK-së, tentojnë t’ua ndalin fjalën

Protestuesit i kanë gjuajtur me ujë disa nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës të cilët kanë dalë të flasin me ta. Ata fillimisht kanë bërë thirrje që të mos i lënë të flasin.

Megjithatë, pas disa përpjekjesh një fjalë rasti e ka thënë shefi i grupit parlamentar, Abelard Tahiri.

Në hyrje të Kuvendit të Kosovës ai u ka treguar se Kuvendi ka ndalur punimet e seancës deri në orën 13:00.

“Sot kërkuam që kjo seancë të ndërpritet, shpresojmë se mazhoranca do reflektojë, kërkuam që qeveria me Komisionin për Buxhet të mblidhen dhe të gjendet një zgjidhje për përfshirjen e veteranëve në ligj. Nuk mund të ketë seanca normale pa u zgjidhur çështja e juaj. Bashkërisht ta gjejmë një zgjidhje”, ka thënë ai.

Derisa, Tahiri ka thënë se veteranët duhet të trajtohen denjësisht, protestuesit i kanë bërtitur se “ku ke qenë më herët”.