Vazhdon në Itali trajnimi i FSK-së për kërkim-shpëtim malor

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë të ditur se pjestarët e FSK-së janë duke vazhduar trajtimin për kërkim-shpëtim malor në Itali.

“Në kuadër të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes me Italinë, specialistët tanë nga Togu i Kërkim-Shpëtimit Malor të Gardës Kombëtare të FSK-së, kanë kryer me sukses trajnimin e kërkim-shpëtimit malor në qendrën e alpinizmit ushtarak në Centro Addestramento Alpino në Aosta të Italisë”, shkroi ai.

Mehaj ka thënë se pjestarët e FSK-së kanë avancuar shkathtësistë e tyre për qasje tek viktimat në faqe shkëmbore, dhënie të ndihmës së parë, evakuim të viktimave, lëvizje në akullnaja, qasjen në viktimat brenda qarjeve të thella dhe tërheqjen e tyre në vend të sigurtë, kërkim në pyje dhe zona malore, si dhe kërkim në ortek duke përdorur pajisje dhe teknika të avancuara.

“Njësitet tona të kërkim-shpëtimit janë shembull i shkëlqyeshëm i profesionalizmit dhe shërbimit vetëmohues në operacionet e shpëtimit përballë të gjitha sfidave që cenojnë sigurinë e qytetarëve të vendit pa dallim”, shkroi ai ndër të tjera.