Klubi i futbollit Dukagjini ka zyrtarizuar marrëveshjen me mesfushorin Valentin Hoti, duke forcuar radhët për sezonin e ri.
21-vjeçari, i cili është rritur dhe formuar si futbollist në Gjermani, rikthehet në vendlindje për të vazhduar karrierën në futbollin kosovar. Hoti është produkt i akademisë së njohur të Ingolstadt, klub që njihet për zhvillimin e talenteve të rinj në futbollin gjerman.
Pas një periudhe të kaluar jashtë vendit, mesfushori tashmë i është bashkuar KF Dukagjinit gjatë fazës përgatitore dhe ka shprehur përkushtimin për të dhënë maksimumin në fushë, me qëllim që të ndihmojë skuadrën në realizimin e objektivave.
“Mirë se erdhe në shtëpi, Valentin!” – thuhet në njoftimin e klubit, duke konfirmuar me entuziazëm afrimin e ri.