Vajzat e KF Dukagjinit në finalen e Kupës, synojnë mbrojtjen e trofeut

Ekipi i vajzave i KF Dukagjinit do të luajë më 13 maj finalen e madhe të Kupës, ku do të përballet me KFV Prishtinën në stadiumin e Hajvalisë, duke filluar nga ora 17:00.

Pas një sezoni të mbushur me përkushtim, punë dhe sakrificë, futbollistet e Dukagjinit kanë arritur në një tjetër finale të rëndësishme, me synimin për ta mbrojtur trofeun e fituar vitin e kaluar.

Nga klubi kanë bërë thirrje për mbështetje sa më të madhe nga tifozët dhe dashamirët e futbollit, duke e cilësuar këtë ndeshje si një moment të veçantë për ekipin.

“Vitin e kaluar e kemi fituar Kupën dhe këtë vit synojmë ta mbrojmë edhe një herë trofeun. Vajzat tona meritojnë përkrahjen maksimale nga të gjithë”, thuhet në njoftimin e KF Dukagjinit.

Finalja pritet të sjellë emocione të mëdha dhe rivalitet të fortë mes dy skuadrave që synojnë trofeun e çmuar të Kupës.