U dënuan me 4 vjet e gjysmë burgim, Gucatit dhe Haradinajt do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgimi

Dy krerët e OVL-UÇK, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë shpallur fajtor nga Gjykata Speciale, duke u dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim dhe gjobë me nga 100 euro.

“Në emër të popullit të Kosovës, për arsyet e shtjelluara, Trupi Gjykues, ju shpall ju fajotr për pengim të personave zyrtar nëpërmjet kërcënimit të rëndë, pengim i personave zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të informacionit të fshehtë, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur”, u tha në aktgjykim, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Por, nga këto 4 vite e gjysmë burgim, dy krerëve të OVL-UÇK-së do t’ju llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 20 muajsh.

Gucati dhe Haradinaj do ta vuajnë dënimin për 2 vite e 8 muaj.

Ndryshe, në aktakuzën ndaj Gucatit e Haradinaj, parashtrohet se midis më së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020, në tri konferenca për shtyp dhe transmetime të tjera televizive, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj zbuluan, pa autorizim, informacion të mbrojtur nga Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, përfshirë të dhëna personale të disa dëshmitarëve (të mundshëm). Gjithashtu, të akuzuarit bënë komente nënçmuese dhe akuzime kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehën synimin e tyre për të dëmtuar Dhomat e Specializuara.

Akuzat përfshijnë dy pika për kryerjen e veprave penale kundër rendit publik, konkretisht pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare (Pika 1 dhe 2) dhe katër pika të veprave penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administrimit publik. Këto janë frikësimi gjatë procedurës penale (Pika 3), hakmarrja (Pika 4) dhe shkelja e fshehtësisë së procedurës (Pikat 5 dhe 6).
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë, Kosovë, dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përkatësisht më 25 dhe 26 shtator 2020./Reporteri.net/