Kurti takohet me kongresistin McGovern, kërkon përshpejtim anëtarësimi të Kosovës në NATO

Kryeministri Albin Kurti ka takuar në Washington D.C. kongresistin Jim McGovern, njëherësh kryetar i Komisionit për Rregulla të Dhomës së Përfaqësuesve.

Kryeministri ia ka shprehur atij mirënjohjen për përkrahjen nga Kongresi dhe për kontributin e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Duke diskutuar për invazionin dhe agresionin rus në Ukrainë, kryeministri Kurti ka theksuar reagimin e menjëhershëm të Qeverisë së Kosovës, duke u rreshtuar përkrah SHBA-së dhe BE-së, me vendosjen e sanksioneve kundër Federatës Ruse dhe me ofrimin e ndihmës dhe përkrahjes për Ukrainën.

Ai e ka vënë theksin te rreziku që mund të paraqitet për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Kjo për shkak të, siç ka thënë ai, lidhjeve të forta të Serbisë me Rusinë, në veçanti asaj ushtarake.

Aleanca ushtarake Serbi – Rusi paraqet kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurti.

Këtë e ka mbështetur në veprimet që ndërmori Serbia kur Kosova mori masat e reciprocitetit në lidhje me targat e përkohshme.

“Serbia e përshkallëzoi këtë çështje në një provokim ushtarak, duke fluturuar helikopterë ushtarakë të dhuruar nga Rusia dhe avionë luftarakë ‘Mig-29’ afër pikës kufitare në Jarinje”, ka thënë Kurti dhe ka shtuar se ambasadori rus në Beograd, Aleksander Botsan Harçenko, e ka vizituar pikën kufitare së bashku me ministrin serb të Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, për të inspektuar grumbullimin e trupave ushtarake serbe atje.

Më tej ai ka potencuar që megjithëse NATO-ja është e pranishme në Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara mbajnë një bazë të madhe ushtarake në vendin tonë, gjë që na bën të ndihemi të sigurt, një përshpejtim i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të zvogëlonte shumë kërcënimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe do të forconte paqen dhe sigurinë në Evropë.