U cilësua edhe si “vetëvrasje” edhe si “vrasje”, a do t’a zgjidhë rastin Dehari ekspertiza e fundit nga Lozana

Rrethanat e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit, mbesin ende të paqarta. Rasti që fillimisht u cilësua si vetëvrasje, e më pas s’u përjashtua as mundësia e vrasjes, s’është zbardhur ende. Express ju sjell një përmbledhje të konstatimeve nga ekspertiza e parë e deri te kjo e fundit nga Zvicra, gjetjet e së cilës u publikuan të martën.

Në qelinë ku qëndroi për gati 70 ditë, aktivisti i Vetëvendosjes Astrit Dehari u gjet pothuajse i vdekur, të shtunën e 5 nëntorit të vitit 2016.

Ai po mbahej në paraburgim, meqenëse po hetohej në lidhje me dyshimet se bashkë me pesë aktivistë të tjerë të LVV-së, Atdhe Arifi, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi kishin planifikuar, organizuar dhe ekzekutuar sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës me 4 gusht 2016.

Dy ditë pas vdekjes, ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Syla Hoxha, kishte thënë se rezultatet preliminare të autopsisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, flasin për mundësinë që ai të ketë vdekur nga pengesat në organet e frymëmarrjes.

“Vdekja është shkaktuar nga asfiksia, zënia e rrugëve të frymëmarrjes”, ka thënë Sylë Hoxha më 7 nëntor, duke u bazuar në rezultatet preliminare dhe jo përfundimtare.

Më pas, rasti ishte cilësuar si vetëvrasje. Kishte qenë pikërisht Sylë Hoxha, ai i cili në një konferencë për media kishte bërë një cilësim të tillë.

Nga dëshmitë e siguruara deri më tani, nuk është dhënë asnjë dyshim i mundshëm për ndonjë përleshje fizike apo probleme në mes të paraburgosurve dhe oficerëve me tani të ndjerin Dehari. Pra të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor demonstrojnë se ky rast ishte vetëvrasje”, kishte thënë Hoxha.

Kjo deklaratë e Hoxhës do të ngjallte reagime të shumta. Për të njëjtin, vjet avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, kishte ngritur edhe kallëzim penal.

Sipas njoftimit, kallëzimi penal kishte të bënte me mosveprimet e tij si person zyrtar “kryeprokuror dhe Prokuror në rastin e hetimit të vrasjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari”.

“Prokurori Sylë Hoxha nuk ndërmori asnjë veprim të domosdoshëm në kuadër të detyrës së tij zyrtare për të siguruar prova që do të identifikonin vrasësit e Astrit Deharit, urdhërdhënësit për vrasje dhe ata që e fshehën vrasjen e Astritit për më tepër se 4 vite”, kishte shkruar Gashi.

Familja Dehari kishte angazhuar më pas dy mjekë, Besim Ymaj nga Shqipëria dhe Besim Latifaj, patolog në Londër. Këta të dy për dallim nga mjekët ligjorë të IML-së (Flamur Blakaj, Naim Haliti e Musa Gashi), patën dalë me përfundime tjera për arsyet e vdekjes së Astrit Deharit.

Derisa nga Instituti i Mjekësisë Ligjore thonin se raporti i autopsisë kishte bërë të ditur se Astrit Dehari kishte vdekur si pasojë e asfiksisë mekanike, ekspertët Ymaj dhe Latifaj kishin deklaruar se vdekja kishte qenë e dhunshme dhe kishte ardhur si pasojë e asfiksisë së dhunshme.

Çka thuhej në ekspertizën e ekspertëve zviceranë në vitin 2019?

Tri vjet pas vdekjes së Deharit, më 24 tetor 2019, Prokuroria Themelore e Prizrenit kishte publikuar gjetjet e ekspertizës së kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, me kërkesë së familjes së tij.

Kjo ekspertizë nuk e përjashtonte as vetëvrasjen e as vrasjen.

Ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. Astrit DEHARI. Në fakt, hipoteza e një vetëvrasjeje e Astrit DEHARIT përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë, duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në procesin fatal duhet të kihet parasysh. Nga ajo çfarë u tha, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së z. Astrit DEHARI. Ekipet tona dhe laboratorët tanë janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen”, thuhej në përfundimin e tyre.

Disa ditë më pas, rasti kishte kaluar në Prokurorinë Speciale.

Më 30 tetor të po atij viti, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kishte marrë vendim që rasti i Astrit Deharit të kalojë nga Prokuroria Themelore në Prizren në juridiksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Prokuroria Speciale kishte thënë se do të vazhdojë hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

Cilat janë gjetjet e eskpertizës që u publikua sot?

Eskpertët që kishin përpliluar ekspertizën e vitit 2019, ku s’përjashtohej as vetëvrasja e as vrasja, kishin vizituar qelinë ku kishte vdekur Dehari, në tetor të vitit 2020.

Ishte bërë edhe ekzaminimi i vendit të ngjarjes.

E për këtë vizitë, ekspertët kanë hartuar një raport shtesë, gjetjet e së cilit janë publikuar sot nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Sipas Prokurorisë, raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit, konstaton se:

Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së për veç të atij, Astrit Dehari.

Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeines dhe mos prani të etanolit.

Sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të ri ekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, raporti është pranuar në gjuhën frënge më 1 prill, ndërsa më 8 prill e kanë pranuar të përkthyer.

“Prokuroria Speciale njofton se raporti i ekspertizës është pranuar në gjuhë frënge dhe më pas është dërguar për përkthim në gjuhë shqipe. Ndërkaq, më datë 08.04.2022, rreth orës 15:30, kemi pranuar raportin e përkthyer në gjuhë shqipe”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Pas publikimit të këtyre gjetjeve, ka reaguar avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi.

Sipas Gashit, Specialja ka publikuar “një komunikatë për media me komente të veta”.

Tutje, ai ka thënë “Prokuroria Speciale duhet të tregojë të vërtetën – pa manipulime”.

“Qellimisht apo rastesisht ben hapa te gabueshme ne rasin e hetimit te vrasjes se Astrit Deharit, ajo ka publikuar nje komunikate per media me komente te veta para se te ju dergoj kopje te ekspertizes shtese te Institutit Zviceran fillimisht familjes se Astrit Deharit si dhe mua si perfaqesues ligjore i familjes Dehari”, ka deklaruar Dehari

Ai ia ka drejtuar edhe disa pyetje prokurorisë.

Prokuroria per te mos e manipuluar opinionin do te duhet fillimisht te tregoj se a kane marre gjurme te ADN- se nga te burgosurit qe kane qene ne Qendren e Paraburgimit ne Prizren me 05.11.2016, a kane marre gjurme te ADN- se i gjithe stafi i Qendres se Paraburgimit ne Prizren, a kan mare gjurme te ADN-se nga ana e gardianeve dhe policeve te cilet Astrit Deharin e kane nxjerre te gjalle – me shenja jete e nga Qendra e Paraburgimig ne Prizen dhe te vdekur – pa shenja jete e kane derguar ne spitalin rajonal te Prizrenit”, ka shkruar Gashi./Gazeta Express

SHARE