Cilat janë procedurat për t’i marrë 100 eurot nga Qeveria

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, prezantoi sot masat e reja në kuadër të pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Kurti tha se për muajin prill, pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat dhe atyre publik dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro.

100 milionë euro do të jetë vlera totale e kësaj shume.

100 euroshi për pensionistët pritet të shpërndahet në fund të kësaj jave ndërsa për punëtorët e sektorit publik në fund të muajit, bëri të ditur Ministri i Financave, Hekuran Murati në konferencën e përbashkët me kryeministrin Kurti.

Sa u përket studentëve dhe punëtorëve të sektorit privat, Murati tha se pritet të hapet një proces i aplikimit në ditët në vazhdim.

“Në radhë të parë do të jenë pensionistët, ata do ta marrin këtë shtesë me pensionin e radhës që do të jetë në fund të kësaj jave, ndërsa punëtorët e sektorit publik do ta marrin në fund të muajit si dhe për skemat sociale do ta marrin me afatin e rregullt. Gjatë ditëve në vijim do të hapet procesi i aplikimit për punëtorët e sektorit privat dhe studentet sepse duhet t’i marrim të dhënat nga ta. Për t’u përmbushur e tërë pakoja e mbështetjes, na duhet që t’i kemi edhe disa ndryshime ligjore, është marrëveshja me Bankën Botërore për zgjerimin e skemës sociale, është Ligji për pagën minimale dhe Ligji për rishikimin e Buxhetit që na mundëson që t’i kemi këto mjete shtesë, për këtë mbështetje shtesë në kuadër të pagës. Ligji për pagën minimale, përveç që rrit pagën, ofron edhe rritje të pagës neto për të gjithë punonjësi”, tha ai.

SHARE