SBAShK-u nuk tërhiqet: Pas 20 prillit mund të nisim grevën

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBAShK) Rrahman Jasharaj, ka bërë të ditur se nuk do të tërhiqen nga mundësia për grevë në arsim pas 20 prillit, edhe pse Qeveria e Kosovës sot mori vendim që të ndajë nga 100 euro për punëtorët e sektorit publik dhe privat.

“Dua të them se vendimi i Qeverisë Kurti sot nuk është plotësim i kërkesës së SBAShK-ut sepse ne kemi kërkuar 100 euro shtesë në pagë për shkak të ngritjeve të vazhdueshme të çmimeve, derisa nuk fillon së implementuari ligji për paga. Ne kemi një problem tjetër kyç që nuk po kemi asnjë informatë zyrtare çka po ndodhë me ligjin për paga”, tha Jasharaj.

Ai shtoi se pas 20 prillit, organet vendimmarrëse të SBAShK-ut do të vendosin për veprime sindikale.

“Vendimi i Kongresit për veprime sindikale pas 20 prillit do të mbetet ai që është dhe pavarësisht këtij lajmi nuk është plotësim i kërkesave tona dhe pas 20 prillit i mbetet organeve të SBAShK që ta zbatojnë vendimin e kongresit që do të ketë veprime sindikale”, tha Jasharaj më tej.

Sot, Qeveria Kurti ka prezantuar masa të reja mbështetëse për disa kategori në Kosovë. Sipas kryeministrit Albin Kurti, Qeveria do të ndajë nga 100 euro për pensionistët, studentët dhe punëtorët e sektorit publik e privat.

Ndërsa, më 8 prill, BSPK-ja ka protestuar duke i drejtuar disa kërkesa ndaj Qeverisë së Kosovës.

Ndër kërkesat e tyre ishte të ndaheshin 100 euro nga buxheti i shtetit për të gjithë të punësuarit në sektorin publik përfshirë edhe punëtorët e Ndërmarrjeve Publike – deri në përmbushjen e kërkesave tjera.

Kurse, SBAShK-u në këtë protestë kishte paralajmëruar grevë pas 20 prillit në arsim.