Turistët në telashe për ta gjetur Ujëvarën e Mirushës (VIDEO

Është një ndër atraksionet më të bukura që ka Kosova, madje Ujëvara e Mirushës konsiderohet si më të rrallat që gjenden në gadishullin Ballkanik.

E krijuar nga qarja që lumi Mirusha, pjesa e poshtme e të cilit kalon nëpër një grykë e cila njihet si Kanioni i Mirushës, ajo përbëhet nga 16 ujëvara me liqene, e që të gjitha e përbëjnë pjesën më atraktive të kanionit.

Por rruga për të shkuar deri tek ujëvara nuk është e kollajshme, raporton Kiks Kosova.

Gropa të mëdha e rrugë të paasfaltuara janë problemet e para që do të hasësh gjatë shkuarjes për te kanioni, i cili konsiderohet i një rëndësie të veçantë që nga viti 1993.

Sikur të mos mjaftonte rruga e përbaltur e me gropa, asnjë shenjë sinjalizuese nuk mund të hasësh rrugës për tek Ujëvara e Mirushës.

Shumë lehtë mund të humbasësh nëse nuk takon rrugës dikë për ta pyetur për destinacionin e këtij kanioni.

Megjithëse zhvillimi i teknologjisë mund ta lehtësojë punën, rruga që të çon në destinacion nuk shihet as aty e as në hartat që gjenden në internet, kjo pasi de-jure e njëjta nuk ekziston.

Problemi tjetër të shfaqet edhe në komunikim me satelit për të gjetur lokacionin, pasi në këtë zonë turistike nuk ke valë të mjaftueshme të internetit.

Me halle të njëjta po përballeshin edhe turistët që ka takuar ekipi i Kiks Kosovës.

Aty duket se asgjë nuk është në vendin e duhur. Vetura e autobusë të parkuar skaj rrugës duke improvizuar zonat e parkingut.

Ndërkaq, shtigjet e këmbësorëve dhe ato për çiklistët janë vetëm të projektuara e të vendosura në hartë, por duket që dora institucionale ka qëndruar larg asaj për t’i dhënë një ndihmë natyrës që Ujëvara e Mirushës të jetë e tillë siç thuhet.

Komuna e Klinës i ka thënë Kiksit se për të investuar në këtë hapësirë u duhet amini i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e të cilin e morën në vitin 2019, por gjërat nuk shkuan si duhet.

Pas pandemisë ndërroi edhe sistemi politik në vend gjë që bëri që të shkëputej edhe kontrata me operatorin ekonomik, i cili ishte përzgjedhur për t’i kryer punimet.

Derisa punët kanë mbetur vetëm të projektuara, Ministria e Komuna shtyhen se kush është përgjegjës për projektin e parealizuar.

Kiksit nga Ministria i thanë që e kanë në plan shenjëzimin në vitet e ardhshme.

Ujëvarat e Mirushës shtrihen në territorin e tri komunave, Rahovec, Klinë dhe Malishevë.