Thirrje për kujdes nga zjarret – Drejtoria e Bujqësisë në Klinë apelon qytetarët të shmangin çdo rrezik

default

Me temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin, rreziku nga zjarret në zona të hapura, pyje dhe toka bujqësore është rritur ndjeshëm. Komuna e Klinës, përmes Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka dalë me një thirrje publike për kujdes të shtuar ndaj çdo veprimi që mund të shkaktojë zjarr, duke kërkuar përgjegjësi qytetare dhe bashkëpunim për mbrojtjen e mjedisit dhe pasurisë bujqësore.

Në një postim zyrtar, drejtori i kësaj drejtorie, Lorenc Marleku, ka bërë të ditur se praktikat e zakonshme si djegia e barit të thatë, mbeturinave bujqësore apo ndezja e zjarreve në natyrë janë rreptësisht të rrezikshme dhe duhet të ndalen menjëherë.

“Zjarret nuk janë vetëm rrezik për natyrën, por rrezikojnë jetën e njerëzve, shtëpitë, tokat, bagëtinë dhe ekonominë e secilit fermer. Apelojmë për kujdes maksimal dhe ndalim të menjëhershëm të çdo praktike që mund të shkaktojë zjarr. Bashkë ta mbrojmë fshatin, mjedisin dhe të ardhmen tonë,” – theksoi Marleku.

Drejtoria përkujton qytetarët të shmangin:
• Ndezjen e zjarreve në ara dhe pyje
• Djegien e mbeturinave dhe barit të thatë
• Hedhjen e cigareve apo materialeve të ndezura në natyrë
• Lënien e mjeteve të ndezshme në zona të ekspozuara ndaj rrezes së diellit

Po ashtu, qytetarët inkurajohen që në rast të zjarreve apo rrezikut të tyre, të lajmërojnë menjëherë shërbimet e emergjencës në numrin 112.

Ky apel vjen në një kohë kur reshjet janë të pakta dhe thatësira e verës e bën terrenin akoma më të rrezikshëm për përhapjen e flakëve. Komuna e Klinës ka theksuar gatishmërinë për të ndërmarrë masa, por kërkon mbështetje dhe vigjilencë nga secili qytetar.