Të gjitha vendimet që i mori qeveria në mbledhjen e sotme

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të radhës në të cilën ka:

– Miratuar draftin e Programit Kombëtar të Shkencës 2023-2028, i cili është përgatitur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Programi Kombëtar i Shkencës 2023-2028 është dokument strategjik, i cili ofron vizionin për zhvillimin e sektorit të kërkimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë, qasjen ndaj zgjidhjeve të problemeve dhe orientimin e politikave strategjike dhe buxhetore për periudhën 2023-2028.

– Rialokuar mjetet buxhetore në vlerë prej 900,000.00€ në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për realizimin e 13 projekte kapitale si në vijim:

1. Komuna e Hanit të Elezit për projektin “Rregullimi i parkut rreth lumit Lepenc” në vlerë prej 30,000.00€

2. Komuna e Lipjanit për projektin “Rregullimi i shtratit të lumit në fshatin Medvec” në vlerë prej 50,000.00€

3. Komuna e Malishevës për projektin “Rregullimi i oborrit të shkollës fillore në fshatin Llazic” në vlerë prej 30,000.00€

4. Komuna e Gjakovës për projektin “Renovimi dhe pajisja e Qendrës së Komuniteteve (parashkollor) në Ali Ibra-Gjakovë” në vlerë prej 40,000.00€

5. Komuna e Kamenicës për projektin “Parkingu i gjelbër në qendër të qytetit të Kamenicës” në vlerë prej 60,000.00€

6. Komuna e Suharekës për projektin “Ripërtërija e qëndrueshme urbane – në lagjen e vjetër të qytetit – Lagja Hoxha” në vlerë prej 50,000.00€

7. Komuna e Podujevës për projektin “Zgjerimi dhe rregullimi i shtratit të lumit Llap dhe lumit Dumnica me mure mbrojtëse ( gabionet) L-860 m, në vlerë prej 85,000.00€

8. Komuna e Rahovecit për projektin “Ndërtimi i parqeve Opterush, Retijë, Dejnë dhe kolektorit për ujëra të zeza në Ratkoc dhe Rahovec” në vlerë prej 50,000.00€

9. Komuna e Deçanit për projektin “Ndërtimi i 4 urave në rrugën që qon në Roshkodol dhe parkut në Isniq” në vlerë prej 85,000.00€

10. Komuna e Gjilanit për projektin “Rigjenerimi i ish parkingut duke integruar xhepat e gjelbër -Parku Urban në komunën e Gjilanit” në vlerë prej 90,000.00€

11. Komuna e Fushë Kosovës për projektin “Rikonstruimi i rrugës “Meshari-Faza e dytë” Fushë Kosovë në vlerë prej 70,000.00€

12. Komuna e Shtimes për projektin “Zgjerimi i rrugës dhe trotuari me ndriçim ne rr.”Shabani” ne Vojnoc”në vlerë prej 95,000.00€

13. Komuna e Pejës për projektin “Turizmi i aventurës – vlerë për zhvillim të qëndrueshëm të Pejës” në vlerë prej 165,000.00€

– Aprovuar kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, për dhënien në shfrytëzim pa kompensim të pronave të kërkuara nga Komuna e Ferizajt, të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës për rregullimin e parkut “Kodra e Sherretëve”.

– Aprovuar kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, për dhënien në shfrytëzim në afat prej pesëmbëdhjetë (15) vite të pronave të kërkuara nga Komuna e Dragashit, të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës për ndërtimin e deponisë inerte në kuadër të projektit IPA.

– Rialokuar mjetet financiare në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal për 3 projekte kapitale në Komuna në shumë prej 160,000.00 € (njëqindegjashtëdhjetë mijë euro) si në vijim:

1. “Asfaltimi i rrugës për te stadiumi i qytetit me infrastrukturë përcjellëse në Komunën e Dragashit” – Komuna e Dragashit në shumë prej 60,000.00 €;

2. “Parku i Aventurave” – Komuna e Kamenicës në shumë 50,000.00 €;

3. “ Rregullimi i shtigjeve të ecjes, çiklizmit dhe ndriçimit publik në rrugën e Ferizajt ” – Komuna e Shtimes në shumë prej 50,000.00€;

– Miratuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: “Ndërtimi i Ndërtesës Administrative” për nevoja të Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganave të Kosovës

– Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme ish-shoqërore “Ballkan” Njësia Damper, (ish Kampi “Casablanka”) për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Duke qenë se Damperi është aseti kryesor i Fabrikës së Ballkanit dhe punëtorët e Ballkanit me vite të tëra presin kthimin e borxhit ndaj tyre nga institucionet shtetërore, më në fund me anë të këtij veprimi të Qeverisë, do të kompensohen të drejtat e tyre.

– Aprovuar hartimin e Programit për Reforma Ekonomike 2024-2026. Qeveria e Republikës së Kosovës përgatitë Programin për Reforma Ekonomike 2024- 2026 , si pjesë e dialogut ndërmjet BE-së dhe Republikës së Kosovës në kuadër të qeverisjes ekonomike.

– Bërë ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 03/13 të datës 27 mars 2008 sipas së cilit bëhet specifikimi i situatave kur mund të lejohet vazhdimi i angazhimit të mësimdhënësit universitar deri në fund të vitit mësimor në universitet publik.

– Themeluar Komisionin Kombëtar për Refugjatë në këtë përbërje:

1. Naim Shala, Ministria e Punëve të Brendshme – kryesues;

2. Arbnore Gjinovci, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale – zëvendës kryesuese;

3. Erdon Arifaj, Ministria e Punëve të Brendshme, ARC- anëtar;

4. Agron Gashi, Zyra e Kryeministrit – anëtar;

5. Haxhi Krasniqi, Ministria e Administratës së Pushtetit Lokal – anëtar;

6. Ruzhdi Osmani, Ministria e Drejtësisë – anëtar;

7. Afërdita Hoxha, Ministria e Shëndetësisë – anëtare.

– Ndryshuar dhe plotësuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/64, të datës 25 shkurt 2022 “Për zbatimin nga Republika e Kosovës të vendimeve të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për vendosje të sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, në raport me situatën në Ukrainë”, në përputhje me masat e reja kufizuese të Bashkimit Evropian, kundër Federatës Ruse, si dhe ndaj individëve dhe entiteteve të ndërlidhur apo përgjegjës për veprime që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.

– Miratuar Koncept-dokumenti për Odën Ekonomike të Kosovës. Ky koncept-dokument rregullon kornizën ligjore për hartimin e Ligjit të ri për Odën Ekonomike të Kosovës, i cili mundëson përmirësimin e mjedisit të të bërit biznesit, si dhe zhvillimit të konkurrueshmërisë në sektorin privat.

– Miratuar Koncept-dokumenti për Nëpunësit Civil në Administratën e Gjykatave dhe Prokurorive. Kjo nismë bën pjesë në pakon e reformës ligjore për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë, e cila është reflektuar në Deklaratën e Përbashkët të Zotimeve dhe synohet të jetësohet nga institucionet nënshkruese: Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Gjykata Supreme dhe Kryeprokurori i Shtetit.

– Miratuar Koncept-dokumentin për Fushën e Mbrojtjes së Natyrës. Ky koncept dokument ka për qëllim verifikimin e vështirësive në zbatimin e dispozitave ligjore të Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës. Koncept-Dokumenti gjithashtu analizon edhe problemet dhe mangësitë ligjore të ligjit aktual me disa ligje të tjera, si dhe analizimin e transpozimit të Direktivave te Bashkimit Evropian.

– Miratuar Koncept-dokumenti për Fushën e Ujërave. Kujdesi dhe vizioni në përdorimin e resurseve ujore duhet të jetë i shtuar sidomos në vendin tonë, duke pasur parasysh burimet e kufizuara që kemi. Me anë të këtij Koncept Dokumenti i hapim rrugë krijimit të dy ligjeve, përkatësisht Ligjit për Ujërat dhe Ligjit për Financimin e Ujërave.

– Miratuar Raportin gjashtë mujor të Buxhetit për vitin 2023. Sipas Raportit, gjithsejtë pranimet gjatë këtij gjashtëmujori ishin në shumë prej 1,330.44 milionë euro dhe paraqesin 39% të pranimeve të përgjithshme të planifikuara vjetore, ndërsa krahasuar me realizimin e gjashtëmujorit të vitit paraprak kemi rritje prej 11%. Ndërsa shpenzimet – gjatë gjashtëmujorit të vitit 2023, arritën shumën prej 1,154.37 milionë euro dhe paraqesin 34% të planit vjetor për shpenzime, ndërsa krahasuar me realizimin e gjashtëmujorit të vitit paraprak kemi rritje prej 115.91 milionë euro ose 11%.

– Miratuar Ri-aprovimin e Raportit Vjetor Financiar për vitin 2022. Raporti i Ri-Aprovuar do të përcillet në Kuvendin e Kosovës konform kërkesave të nenit 46 të Ligji 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë

– Aprovuar propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë për përbërjen e Bordit Drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore