Sylvinho fton 25 futbollistë për ndeshjen me Çekinë, rikthehet Armando Broja

Kombëtarja shqiptare do rikthehet në aksion në muajin tetor, pasi ka në program ndeshjen kualifikuese të “Euro 2024” ndaj Çekisë dhe miqësoren me Bullgarinë. Ditën e sotme trajneri Sylvio Mendes Campos Junior ka shpallur edhe listën e futbollistëve që do të ketë në dispozicion.

Në listën e përbërë nga 25 futbollistë ka ndryshime të pakta në krahasim me sfidat ndaj Çekisë dhe Polonisë në shtator. Rikthehet me Kombëtaren sulmuesi Armando Broja, i cili e ka lënë pas dëmtimin në gju dhe së fundmi edhe ka luajtur me Celsin në Premier Ligë. Këtë herë do të mungojë Odise Roshi, ndërsa pjesa tjetër e futbollistëve janë konfirmuar nga ana e trajnerit brazilian të Kombëtares.

Shqipëria do të nisë zyrtarisht përgatitjet të hënën, më 9 tetor, në “Shtëpinë e Futbollit”. Lojtarët do të grumbullohen në kryeqytet, ndërkohë që është programuar që trajneri Sylvinho të dalë në konferencë për mediat ditën e shtunë prej orës 11:00 në sallën e konferencave në “Shtëpinë e Futbollit”.

Kombëtarja kuqezi do t’i luajë në “Air Albania” të dyja ndeshjet e tetorit. Fillimisht Shqipëria përballet me Çekinë më 12 tetor, prej orës 20:45, ndërsa më pas në program është miqësorja me Bullgarinë më 17 tetor, ora 18:00.