Sveçla bisedon me komandantin e KFOR-it për sigurinë në komunat veriore

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është takuar sot me Komandantin ri të KFOR, Gjeneralmajor Özcan Ulutaş.

Sveçla tha se në këtë takim është biseduar për gjendjen e sigurisë në komunat veriore.

“Biseduam për situatën e përgjithshme të sigurisë dhe për sigurinë në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, veçanërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë zyrtari policor Rreshter Afrim Bunjaku dhe dy zyrtarë të tjerë të plagosur”, tha ai.

“E falënderova Komandantin Ulutaş për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të KFOR, për ngritjen e kapaciteteve të tyre si dhe për shtimin e patrullimeve të përbashkëta përgjatë brezit kufitar me Serbinë”.

“Të dyja palët ndajmë qëllime të përbashkëta të garantimit të sigurisë, paqes dhe stabilitetit për qytetarët tanë në vendin tonë andaj do të punojmë bashkërisht në realizimin e këtij qëllimi”, tha në fund Ministri Sveçla.