Stuhia e djeshme shkakton dëme të konsiderueshme në Malishevë

Stuhia e shoqëruar me breshër gjatë ditës së djeshme, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në një pjesë të Komunës së Malishevës. Si pasojë e stuhisë, janë dëmtuar në masë të madhe kulturat bujqësore, serrat dhe të mirat tjera materiale, por fatbardhësisht pa dëme në njerëz.

Në njoftimin për media të Komunës së Malishevës thuhet se për të parë nga afër dëmet e shkaktuara, sot, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Sylë Dukolli, me kërkesën edhe të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, e ka vizituar fshatin Plloqicë, ku edhe janë shënuar dëmet më të mëdha nga stuhia.

Në emër të kryetarit Kastrati, drejtori Dukolli, ka shprehur keqardhjen për dëmet që u janë shkaktuar bujqve, dhe ka thënë se “do të jemi gjithmonë pranë qytetarëve, e në veçanti pranë bujqve e fermerëve, të cilët janë dëmtuar rëndë gjatë ditës së djeshme”.

Drejtori Dukolli, bashkë me zyrtarët përgjegjës të drejtorisë për bujqësi, i kanë vizituar disa nga fermerët e dëmtuar. Familjen e Shkumbin Malokut, të cilit breshëri e stuhia, i ka dëmtuar rreth 80 ari serrë dhe Hashim Malokun, të cilit gjithashtu stuhia, ka dëmtuar në tërësi serrën.

“Përveç dëmeve të rënda në serrat e tyre, në tokë shihej breshëri i rënë gjatë ditës së djeshme, e që ende nuk është shkrirë dhe krahas serrave dhe pemëve, breshëri e stuhia i ka dëmtuar në masë të madhe edhe kulturat tjera, si grurin e pa korrur dhe misrin”, thuhet në njoftim

Drejtori i drejtorisë për Bujqësi, Sylë Dukolli, ka bërë të ditur, se menjëherë është aktivizuar komisioni i cili do bëjë vlerësimin e dëmeve, varësisht nga kërkesat dhe ankesat e qytetarëve, të cilët e kanë njoftuar komunën, për dëmet në të mbjellat e tyre