Stojanoviq: Srpska kërkon të bojkohet regjistrimi i popullsisë, ndërsa aktvistët e tyre janë regjistrues – s’ka fund dyfytërsia

Politikani serb nga Kosova, Branimir Stojanoviq i Lëvizjës Kombëtare Serbe, ka thënë se derisa Lista Srpska po bën thirrje te serbët e Kosovës që të mos marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë familjarët e zyrtarëve dhe aktivistë të Listës Srpska në Graçanicë janë në mesin e regjistruesve.

Ai shkruan se “hipokrizia e Listës Srpska nuk ka fund”.

“Ndërsa bëjnë thirrje për bojkotimin e regjistrimit, familjarët e zyrtarëve dhe aktivistë të Listës Serbe në Graçanicë janë në mesin e regjistruesve. Dhe ky njoftim i Listës Serbe, në të cilin shkrehen një duzinë fraza të vjetruara, nuk e ka idenë për pasojat e drejtpërdrejta që do të ketë populli ynë nëse nuk merr pjesë në regjistrim. Do të mbetemi sërish vetëm me problemet tona. Nuk ka kushte për regjistrim dhe jemi kundër që të bëhet në këto momente, por gjasat që ai të shtyhet janë shumë “të pakta””, ka thënë ai.

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Srpska, u bëri thirrje serbëve që të bojkotojnë sërish procesin e regjistrimit të popullsisë të organizuar nga institucionet e Kosovës, ndonëse dënimet për ata që nuk pranojnë të regjistrohen në bazë të ligjit janë nga 30 deri në 2000 euro.

Lista Srpska përmes një deklarate për medie, thotë se serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, duke i dërguar siç thonë një mesazh të qartë Albin Kurtit se, “populli serb nuk do të marrë pjesë në regjistrimin e rrejshëm të ardhshëm në organizatën e tij, me të cilën ai dëshiron të konfirmojë suksesin e tij të turpshëm në dëbimin e serbëve”.