Anulohet tenderi për vaksinat sezonale për gjysmë milioni kosovarë

Ka dështuar të zgjidhet operatori për furnizim me vaksina sezonale, me të cilat Qeveria Hoti ishte zotuar që do t’i vaksinonte gati gjysmë milionë kosovarë.

Ministria e Shëndetësisë në fillim të muajit gusht pati hapur tender për furnizim me rreth 400 mijë vaksina sezonale. Vlera e paraparë për këtë tender ishte 3 milionë e 100 mijë euro, e që nëse kalkulohej çmimi për vaksinë, i binte rreth 8 euro e 30 cent, raporton KTV.

Tenderi është anuluar të mërkurën.

Arsye është dhënë tejkalimi i çmimit të paraparë.

Një grup operatorësh i kanë ofruar këto vaksina me vlerë të më shumë se 8 milionë e gjysmë euro, ose rreth 22 euro e 70 centë për vaksinë.

Operatorët ekonomikë që janë diskualifikuar për shkak të çmimit sipas Ligjit të Prokurimit Publik mund të parashtrojnë ankesë në MSh, në afat prej 5 ditësh e nëse nuk u aprovohet, atëherë ankesën mund ta dërgojnë në OShP, 10 ditë pas vendimit të MSh-së.

Një gjë e tillë vetëm për ankimim merr më shumë se 15 ditë, e në rast se lënda shkon në OSHP, procesi deri në vendimmarrje mund të zgjasë 40.

Por këtë periudhë nuk e ka MSH-ja, për shkak se vaksinat sezonale jepen në fillim të vjeshtës, në muajin tetor.

Periudha kur qytetarët duhet të vaksinohen është e sqaruar edhe në faqen zyrtare të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e sëmundjeve.

Për herë të parë që pas 15 vjetësh, Ministria e Shëndetësisë ka hapur tender për këtë çështje. Deri tani blerjet e vaksinave janë bërë përmes UNICEF-it. Në prillin e këtij viti, kur është bërë porosia e fundit, siç ka mësuar televizioni, çmimi ishte 5.51 centë, ndërsa sasia e porositur ishte 120 mijë vaksina.

Burimet i kanë thënë televizionit se MSh-ja pati bërë hulumtimin e tregut për vaksina sezonale, dhe një kompani e kishte paraqitur çmimin maksimal 12 euro, ndërsa atë minimal 7.40 euro.

Qeveria e Kosovës në kuadër të masave për parandalimin dhe luftimin e COVID 19 pati marrë vendim për blerjen e vaksinave sezonale në sasi 500 mijë, nga 80 mijë sa janë blerë çdo vit.