Sot zhvillohen dy ndeshje të xhiros së 23-të në Superligë, vëmendja në Klinë

Xhiro e 23-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll starton sot me dy ndeshje që janë në program për tu zhvilluar.

Padyshim që kryendeshja e ditës së sotme do të zhvillohet në stadiumin ’18 qershori’ në Klinë, ku Dukagjini pret Prishtinën.

Është një ndeshje fantastike dhe shumë e rëndësishme për dy skuadrat që ndodhen në pozita jo të mira në tabelë.

Pas 22 ndeshjeve Dukagjini zë vendin e parafundit në tabelë me 21 pikë, derisa Prishtina është e gjashta në tabelë me pesë pikë më shumë.

Vendasit synojnë fitoren e madhe, pasi në këtë mënyrë do t’i largoheshin zonës së kuqe tabelare, derisa Prishtina që ka pasur probleme kohëve të fundit synon që të dalë e pamposhtur nga ky takim.

Sfidë tjetër që është në program për tu zhvilluar sot është ajo mes Malishevës dhe Feronikelit.

Vendasit janë favorit absolut për ta fituar këtë takim, pasi dihet tanimë gjendja e Feronikelit që po luan me futbollistë të rinj.

Të dyja sfidat e ditës së sotme do të zhvillohet me fillim nga ora 13:00.

SHARE