Sot varroset në Pejë Isa Balaj, luftëtari i dalluar i UÇK-së, Mbledhja Komemorative në ora 12:00

Pas një sëmundje të shkurtër, të Dielën më 21 Gusht 2022, në Vienë të Austrisë ka ndërruar jetë ish-ushtari i UÇK-së, Isa Lush Balaj.

Lajmin për vdekjen në moshën 65 vjeçare të veprimtarit, atdhetarit e luftëtarit të lirisë, Isa Lush Balaj nga fshati Zabllaq i Istogut e kumtuan familjarët e tij.

Isa Balaj ishte ndër organizatorët kryesor të protestave të vitit 1981, pas të cilave edhe u dënua me tre vite burg.

Veprimtaria e tij politike e kombëtare vazhdoi me pjesëmarrjen në pajtimin e gjaqeve e më pas inkuadrimin në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ku u dallua për guxim e trimëri.

I plagosur dy herë, e i rikthyer sërish në frontin e parë pas shërimit, Isa Balaj u bë ushtari sinonim i mosdorëzimit e rezistencës deri në çlirimin e plotë të atdheut.

Balaj gjatë luftës së fundit për Kosovën udhëhoqi logjistikën e furnizimit me armatim nga Shqipëria dhe ishte pjesë e betejës së lavdishme të Kosharës, ku u thye kufiri shqiptaro – shqiptar.

I ndjeri do të varroset sot, (e Martë) në ora 17:00 në varrezat e qytetit të Pejës-Kompleksi i varrezave të Dëshmorëve, ndërsa paraprakisht në ora 12:00 në sallën e Asamblesë Komunale të Pejës është paralajmëruar mbledhje komemorative.

Me rastin e ndarjes nga jeta, të ndjerin Balaj e kanë kujtuar edhe disa prej figurave publike të vendit.

“Vdekja e tij ,është një humbje e madhe për të gjithë njerëzit që e njohin. Shpirti i tij u preftë në paqe. Lavdi!”-ka shkruar Et’hem Çeku – ish-kryetar i komunës së Pejës dhe ish-ministër në disa Qeveri të Kosovës.

Adem Grabovci poashtu ka reaguar me pikëllim pas vdekjes së Balajt.

“Edhe ti Isa a? Shoku im i fëmijërisë, Bashkëveprimtarë i ilegalitetit dhe Pajtimit të Gjaqëve, Bashkëluftetar i luftës për çlirim, Mik i veçantë i jetës. Jeta qenka e padrejtë. Me premtove se do shihemi së shpejti, e lajmi për ndarjen fizike nga kjo botë, na shokoi, thjesht nuk po e besojë! Ngushëllime Familjës së nderuar Bala, shokëve, miqëve e bashkëveprimtarëve të Isës! LAMTUMIRË.Prehu në paqe Isa Balaj.”-shkruan Grabovci./