“Sot ose kurrë”/ KB Peja mund të shënojë historinë kundër Chemnitz

Klubi Basketbollistik Peja do të luajë sonte një nga ndeshjet më të rëndësishme të historisë së ekipit.

Shqiponjat presin në folenë e tyre Niner Chemnitz, një prej ekipeve më të mira të ligës gjermane.

Ndeshja do të luhet në kuadër të fazës së grupeve në FIBA Europe Cup, raporton Indeksonline.

Me fitoren e sontme, Peja do të mund të vazhdonte rrugëtimin e saj në fazën e radhës së ëndrrës evropiane.

Pejanët janë duke shkëlqyer në sezonin e rregullt në Superligë, me seri prej shtatë fitoresh dhe asnjë humbje.

Në anën tjetër, Niner Chemnitz nga gjashtë ndeshje të luajtura në ligën gjermane, numëron pesë fitore dhe një humbje.

Ndeshja e parë e luajtur mes dy ekipeve nuk shkoi si duhet për pejanët, të cilët u mposhtën në Chemnitz me rezultat 98-72.

Deri më tani, gjermanët janë të pamposhtur në garat europiane, duke mbajtur primatin e tabelës së grupit, të ndjekur nga Peja që arkëton vetëm disfatën nga ta.

Ndeshja luhet në “Karagaç”, me fillim nga ora 19:00.