Në qytetin e Klinës ka tri ditë që po mbahet festivali tradicional “I Këndojmë Lirisë”, që zhvillohet çdo vit në nderim të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroit Mujë Krasniqi.
Festivali nisi në fshatin Qabiq, vendlindja e Mujë Krasniqit, dhe përfshin tri net të mbushura me aktivitete kulturore, muzikore dhe përkujtimore, më datat 6, 7 dhe 8 qershor.
Nata e tretë, që mbahet sonte (08.06.2025), shënon edhe kulmin e festivalit, ku përveç performancave artistike dhe kulturore, do të ndahen edhe çmimet kryesore të festivalit, përfshirë Çmimin “Mujë Krasniqi” për kontribut të veçantë në artin patriotik dhe kulturën kombëtare.
Mysafir special i mbrëmjes finale është këngëtari i njohur i muzikës popullore dhe moderne shqiptare, Gold AG, i cili do të performojë për të pranishmit në një koncert festiv, duke sjellë emocione të forta me këngët e tij patriotike dhe përkushtuese.
Festivali “I Këndojmë Lirisë” ka për qëllim ruajtjen e kujtesës historike, nderimin e dëshmorëve dhe promovimin e artit të angazhuar shqiptar në shërbim të identitetit kombëtar.