Në një tubim përkujtimor të mbajtur sot, kryetari i Degës së PDK-së së Klinës dhe kandidat për kryetar , Sokol Bashota, është bashkuar me bashkëluftëtarë, miq, veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të nderuar dëshmorin e lirisë Abedin Rexha – Sandokanin.
Në postimin e tij publik, Bashota ka theksuar rëndësinë e kujtimit të figurave që dhanë jetën për Kosovën e lirë, duke shkruar:
“Sot u mblodhëm bashkë, bashkëluftëtarë, miq, veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të kujtuar me nder e respekt të pashuar dëshmorin e lirisë, Abedin Rexha – Sandokanin.
Abedini ishte simbol i guximit, i përkushtimit dhe i dashurisë për atdheun. Rënia e tij e bëri emrin e tij të pavdekshëm, sepse liria që gëzojmë sot mban edhe gjakun e tij.
Çdo përvjetor i rënies së tij na kujton se liria nuk ishte dhuratë, por sakrificë; nuk ishte rastësi, por ideal i përjetshëm.
Lavdi përjetë Abedin Rexhës dhe të gjithë dëshmorëve të kombit që u flijuan për Kosovën e lirë e sovrane!
Lavdi e përjetshme!”
Bashota theksoi se kujtimi i dëshmorëve si Abedin Rexha mbetet një obligim moral dhe kombëtar, pasi sakrifica e tyre është themeli i lirisë që sot gëzon populli i Kosovës.