Suedia nënshkruan aplikimin për anëtarësim në NATO

CNN raporton se ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde ka nënshkruar të martën aplikimin për anëtarësim në NATO.

“Kjo është diçka e madhe, diçka serioze dhe duket sikur kemi arritur në përfundimin më të mirë për Suedinë. Nuk e dimë se sa do të marrë aplikimi ynë, mirëpo ne e kemi llogaritur se kjo mund të marrë deri në një vit. Këtë javë aplikimi ynë do të dorëzohet, bashkë me atë të Finlandës dhe pastaj do të procedohet në NATO”, ka thënë Linde pas nënshkrimit të aplikimit.

Kjo lëvizje e Suedisë vjen në kohën kur Rusia po vazhdon luftën e saj në Ukrainë.

Kryeministrja e Suedisë Magdalena Andersson tha se “anëtarësimi në NATO është mënyra më e mirë për të garantuar sigurinë e Suedisë në kohën e mjedisit të sigurisë të ndryshuar rrënjësisht” pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi në shkurt.