Sllavisha Petkoviq: Lista Serbe po dëshiron më shumë se 10 deputetë për të mos e lejuar Kurtin kryeministër

Ish-ministri i Qeverisë së Kosovës, Sllavisha Petkoviq, e ka denoncuar planin e Listës Serbe për të shpërndarë vota në komunitetet e tjera dhe të marrin deputetë në mënyrë që në të ardhmen t’i bashkohen interesave të Listës Serbe.

Sipas Petkoviq ky skenar tashmë është i qartë.

Ai thotë se po provohet një plan që ka ndodhur edhe në Bosnje e Hercegovinë.

“Këtu po tentohet ai skenari që është zbatuar në Bosnjë, në zgjedhjet e kaluara në Bosnjë e Hercegovinë, kur me votat e boshnjakëve është zgjedhur anëtari kroat i Presidencës së Bosnjës. Fatkeqësisht, edhe kjo është e mundur. Së dyti, kjo është qartësisht kriminale. Pra, është ndërrim i vullnetit të qytetarëve, me përpjekje të ushtrimit të ndikimit mbi komunitetet pakicë, që të ndryshohet baraspesha”, tha Petkoviq.

Sipas tij, kjo skemë e Listës Serbe ka për qëllim që t’ia pamundësojë Vetëvendosjes të krijojë Qeverinë.

“Të them dy fjalë, nëse Vetëvendosje tash do të fitonte 51, 53, pastaj edhe 10 ulëse të pakicave, dmth. 60 e diçka deputetë, e pastaj, nuk e di, i fitojmë edhe ne një apo dy deputetë, e kaq, u bë qeveria. Nuk ka nevojë për Listën Serbe. Ata përpiqen në pjesën tjetër, në pjesën e komuniteteve të tjera, të tërheqin 2-3 deputetë, që të mos e lejojnë Vetëvendosjen të bëjë 61 deputetë të mjaftueshëm pa një parti tjetër shqiptare. Kjo skemë është qartësisht në veprim tashmë, ashtu që Vetëvendosje të mos mund të arrijë”, ka thënë Petkoviq, transmeton Telegrafi.

Sipas tij, Listës Serbe nuk i ka penguar as Hashim Thaçi, as Kadri Veseli, as Ramush Haradinaj por po i pengon Albin Kurti.

Por Petkoviq ka dhënë arsyet e tij në lidhje me këtë.

“Kemi një gjë të çuditshme këtu, keni kujdes. Listës Serbe nuk i ka penguar as Hashim Thaçi, as Kadri Veseli, as Ramush Haradinaj, që ishin apo janë të akuzuar, sepse nuk e di, për krime, nuk po lëshohem te fajësia e tyre, thjesht po theksoj faktin. Por, ju pengon Albin Kurti, që nuk ka qenë fare në luftë. Prej asaj që kam kuptuar në ndërkohë, e të tjera, me të nuk mund të bëjnë pazare! Nuk ka biznese me të. A po më kuptoni tash? Lista Serbe është organizatë biznesi. Po besoj me Albin Kurtin nuk kanë arritur të nxjerrin ndonjë biznes të tillë”, tha tutje Petkoviq.