Situatë e qetë në Veri – Vendi po monitorohet nga njësitet speciale të Policisë dhe KFOR-i

Situata në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, po vazhdon të jetë e qetë këtë vikend, pas tensioneve të ditës së premte. Policia po qëndron në afërsi të këtyre komunave dhe deri më tash s’ka pasur incidente.

Kështu ka bërë me dije për Sinjalin Veton Elshani nga Policia e Kosovës, i cili tha se zyrtarët policorë po vazhdojnë të qëndrojnë afër ndërtesës së Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Kujtojmë se Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, të shtunën kërkoi tërheqjen e njësive speciale nga veriu. Kjo parti tha se Serbia duhet të ndalojë dialogun me Kosovën, derisa nuk tërhiqet policia.

Më 26 maj, Policia e Kosovës asistoi tre kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që të hynin në ndërtesat komunale. Këto ndërtesa, paraprakisht ishin përdorur nga institucionet paralele serbe.

Ky veprim u kundërshtua nga grupe të serbëve lokalë, të cilët u përleshën me policinë. Autoritetet e sigurisë përdorën shok-bomba dhe gaz lotsjellës, ndërkaq serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të tyre. Disa vetura policore u dogjën, ndërkaq të paktën pesë policë u lënduan.

Faktori ndërkombëtar e cilësoi shkuarjen në komunat në veri të kryetarëve të rinj si “hyrje me forcë”, duke dënuar veprimet e Prishtinës.