Pensionistët nuk kanë nevojë të paraqiten për konfirmim deri më 30 shtator

Nga frika se do t’u ndalen pensionet, shumë pensionistë janë paraqitur në Zyrën Regjionale të Pensioneve në kryeqytet.

Siç shihet në fotografinë e Arian Rexhepit, postuar në Facebook, kjo është bërë pa ruajtur distancën sociale e pa përfillur rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

Por, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka konfirmuar për KOHËN se e ka shtyrë afatin për paraqitje të pensionistëve deri më 30 shtator.

Bahri Xhaferi, udhëheqës i Departamentit të Pensioneve në MPMS, u ka bërë thirrje pensionistëve që t’u përmbahen rekomandimeve të IKSHPK-së dhe të mos dalin fare e as të paraqiten për pensione.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, janë rreth 200 mijë pensionistë të disa kategorive, të cilët janë të obliguar të lajmërohen në Zyrën e Pensioneve, dy herë në vit.

Por, këto rregulla janë ndryshuar shkaku i pandemisë, derisa Shoqata e Pensionistëve të Kosovës i ka bërë thirrje Ministrisë që t’i njoftojë vazhdimisht pensionistët për shtyrjen e këtij afati që të mos krijohen tollovi në Zyrat për Pensione